Meta takon Tsiprasin. Diskutimi, për marrëdhëniet mes dy vendeve

12/10/2016 00:00

Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Greqi, kryetari i Kuvendit Ilir Meta është takuar me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras. Ky i fundit, të paktën publikisht, nuk ka përmendur asnjë nga çështjet e hapura mes dy vendeve, por ka vlerësuar rolin e Metës kundër zërave nacionalistë.

“Duhet të mbrojmë perspektivën e fqinjësisë së mirë. Duhet ta mbrojmë këtë perspektivë nga zërat ekstremistë, nacionalistë. Në këtë kuadër, dua t’ju falanderoj juve sepse keni qenë gjithnjë përballë këtyre zërave nacionalistë”, tha Tsipras.

Edhe Meta nga ana e tij ka mbajtur të njëjtën linjë të deklaratave të bëra gjatë gjithë vizitës në Greqi.

“Unë besoj që ne, me urtësi dhe vullnet pozitiv, jo vetëm do t’i japim një hop të ri marrëdhënieve të gjithanshme shqiptaro-greke, sepse kjo është një kërkesë e qytetarëve tanë. T’i trajtojmë në mënyrë konstruktive dhe sipas përkatësisë europiane që na takon të gjitha çështjet e mbartura nga e kaluara”, u shpreh Meta.

Mësohet se veç takimit zyrtar, mes tyre është zhvilluar dhe një takim kokë më kokë, madje dhe pa praninë e përkthyesit. Në takimin që një ditë më parë kreu i Kuvendit kishte me presidentin grek, atij ju paraqit edhe një herë kërkesa për varret e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore si një nga çështjet që duhej zgjidhur. Ndërsa vetë Meta tha për Top Channel se shpejt do niste punën komisioni i përbashkët për të diskutuar çështjet e mbetura pa zgjidhje, përfshi edhe ligjin e luftës.

Top Channel