Meta në Athinë, ish-ministrat e Jashtëm: Vizitë e suksesshme

12/10/2016 00:00

Për Arta Daden, jo si shoqëruese, por si ish-ministre e Jashtme socialiste, vizita e Ilir Metës në Greqi ishte e suksesshme dhe si e tillë e ka arritur qëllimin.

“Unë besoj që kjo vizitë i ka të gjitha elementet e një vizite të shkëqlyer. Ka disa çështje të mbartura nga e kaluara, të cilat nuk duhet të bëhen pengesë për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhenieve dypalëshe”, deklaron Dade.

Në të njëjtën linjë shprehet dhe ish-ministri i Jashtëm demokrat, Tritan Shehu. “Unë them që ishte një vizitë pozitive dhe që shpresoj që të ndiqet nga hapa të tjerë konkret në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, thotë Shehu.

Për Shehun, ish-ministër i Jashtëm në kohën e krizës së parë me Greqinë në vitet ‘90, mirëkuptimi duhet të jetë në themel të bisedimeve.

“Ka probleme të kaluara, ka probleme të sotme, çështja është t’i zgjidhim me mirëkuptim këto çështje, duke forcuar bashkëpunimin tonë”, nënvizon Shehu.

Por, duke u ndalur tek çështja çame, Dade ka një mesazh special për Shpëtim Idrizin. “Kjo duhet zgjidhur edhe në bazë të konventave ndërkombëtare, ku të dy vendet janë pjesë dhe sigurisht në asnjë rast nuk duhet të përdoret kjo çështje për efekte elektorale apo kredite politike në politikat vendase”, thekson Dade.

Top Channel