“Brexit”, shkëputja nuk e çliron Britaninë nga barra e pagesave drejt BE-së

12/10/2016 00:00

Zyrtarë britanikë besojnë se Mbretërisë së Bashkuar mund t’i duhet të paguajë ende shumë parà BE-së, që të sigurojë kushte preferenciale tregtie pas “Brexit”-it.

Gjatë referendumit, mbështetësit e largimit nga unioni thanë se Britania e Madhe mund të kursejë 350 milionë paund kontribute në javë, nëse nuk është më pjesë e tij. Por sipas BBC, një nga ministrat e kabinetit – që ka preferuar të mbetet anonim, – tha se Britanisë së Madhe mund t’i duhet të paguajë shumë parà, që të ketë akses në tregun e përbashkët.

Kontributet britanike për BE-në ishin një nga temat më të nxehta gjatë fushatës së referendumit dhe shifra prej 350 milionësh në javë dëgjohej kudo. Sidoqoftë, analistët thonë se kjo shifër reduktohet nga subvencionet që i paguhen Britanisë dhe nga uljet e buxhetit britanik.

Por BBC, bazuar në burimet e saj, shkruan se pritet që Mbretëria e Bashkuar të paguajë deri në 5 miliardë paund në vit fonde për BE-në edhe pas daljes nga unioni, që të jetë pjesë e tregut të përbashkët.

Mbështetësit e “Brexit” thonë se nuk duhet të paguajnë më as edhe një paund për BE-në pas shkëputjes nga blloku. Sipas burimeve të BBC-së, Britania vërtet nuk do të kontribuojë më në buxhetin kryesor të BE-së, por mund t’i duhet të japë fonde speciale, si për shembull për zhvillimin ekonomik të anëtarëve të rinj të BE-së, si një mënyre për të fituar kushte preferenciale tregtie.

Qeveria britanike po përballet me thirrje gjithnjë e në rritje, që të japë më shumë detaje për “Brexit”-in dhe planifikimin e tij, sidomos për emigracionin dhe tregtinë me BE-në. Më herët, një zëdhënës i qeverisë tha se, kabineti nuk do të komentojë drejtpërdrejt negociatat si një ndeshje futbolli, por duhet të jetë e qartë për të gjithë se, vendimet për paratë e taksapaguesve duhet të merren në Britani.

Top Channel