Milot, shpëtohet i moshuari, e rrëmbyen ujërat gjatë natës

11/10/2016 00:00

Reshjet e shiut të nisura mbrëmjen e së hënës kanë sjellë probleme të shumta edhe në Milot, ku veç dëmeve të shumta materiale është rrezikuar dhe jeta e një të moshuari, i cili fatmirësisht është arritur të shpëtohet.

“Fati i tij. E dëgjuam zhurmën dhe e shpëtuam nga dera mbrapa. Pastaj e çuam në spital, se ambulanca këtu nuk vjen”, tregon Leonard Hidri.

Banorët shprehen se problemet kanë nisur pas ndërtimit të superstradës, pasi përroi i cili grumbullon ujërat e pjesës kodrinore dhe malore të Milotit ka devijuar rrjedhjen normale nga drejtimi për në lumin Mat drejt banesave të ndodhur përbri superstradës.

“Jam veti i tetë në familje dhe jemi përmbytur komplet. Shyqyr që kam nxjerrë fëmijët gjallë, por jemi të mbuluar nga uji deri në fyt”, tregon një banore.

Reshjet e shiut kanë shkaktaur dëme të shumta edhe në Fushë Kuqe, ku veç sipërfaqeve të tëra toke që jane mbuluar nga uji ka pasur dëme edhe tek bizneset e zonës.

Ndërkohë, forca të shumta të Emergjencave Civile dhe ushtrisë janë duke vijuar punën për të pastruar kolektorët dhe rrugët të cilat janë të bllokuar nga inertet e lëna pas nga uji.

Kanali i ujërave të larta, i cili është i mbushur me inerte vazhdon të jetë mbi nivelin normal, ndërsa forcat e ushtrisë vazhdojnë të jenë të dislokuara në Laç.

Top Channel