Kualifikueset, fiton Gjermania, gol “shqiptar”

11/10/2016 00:00

Me 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, Gjermania marshon me ritmin e një “panzeri” në kualifikueset për Botërorin 2018. Kampionët në fuqi të planetit nuk zhgënjyen as në provën e tretë në Grupin C, me suksesin e pastër 2-0 ndaj Irlandës së Veriut që mban ekipin e Joakim Lëv me 100% të pikëve.

Mesfushori Julian Draksler nuk hezitoi në rastin e parë të vërtetë në këmbët e tij me trajektoren e duhur në portën e ishullorëve. Ende pa u rikuperuar nga tronditja e avantazhit të gjermanëve, Irlanda e Veriut vuajti dhe golin e dytë pas 4 minutash, në një kombinim të çuditshëm por fitues të ekipit pritës. 2-0 për Gjermaninë që komandon e vetme, me dy pikë më shumë se Azerbajxhani ndjekës.

Anglia vuajti ndalesën e parë në Grupin F pasi transferta në Slloveni nuk i dha më shumë se një pikë ekipit të “3 luanëve”. Me një trajner “part time” si Geret Sauthgejt, ekipi mik vuajti për të krijuar raste në fraksionin e parë, aq sa jo pa ironi mediat britanike e quajtën shpenzim të kotë biletën e stadiumit.

Mbrojtja kishte prioritet për Slloveninë edhe në pjesën e dytë, me Anglinë që u detyrua të kënaqet me barazimin që e lë gjithsesi në krye.

Surprizë nëse kishte mbrëmjen e kësaj të marte në kualifikuese, ishte humbja e Danimarkës në shtëpi ndaj Malit të Zi. Ballkanasit me histori të varfër por ambicie të madhe, prevaluan në “Telia Parken” me një gol shqiptar.

Fatos Beqiraj ishte autor i pikës së vetme kulmore me rrjetën e tij në stadiumin e Kopenhagen. Një fitore me vlerë mori Sllovakia që u imponua 3-0 ndaj Skocisë ndërsa Polonia zhgënjeu në shtëpi 1-1 ndaj Armenisë pavarësisht dominimit për 90 minuta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA