Basha: Zbatimi i Dekriminalizimit shkërmoq pushtetin e Ramës

11/10/2016 00:00

Gjithëkush që është kundër krimit në pushtet, kundër drogës dhe kundër kapjes së zgjedhjeve është i mirëpritur në aleancën qytetare për largimin e Edi Ramës dhe kthimin e vendit në normalitet.

Ka qenë ky mesazhi që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përcjellë në takimin me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Vorës, “mes të cilëve edhe shumë përfaqësues të së majtës të zhgënjyer nga Edi Rama”, thuhet në një njoftim të PD.

Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se pa dekriminalizimin e pushtetit nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe as siguri e mirëqënie për qytetarët.

“Që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, që shqiptarët të mos kenë frikë nga krimi për të hedhur votën ashtu siç duan, është e domosdoshme që të thyhet cikli i drogës dhe krimit. Po si erdhi droga dhe krimi?! Edi Rama në fillim mbushi administratën me kriminelë, solli kriminelët në Parlament, i vuri në poste kyçe, i bëri kryetarë bashkish. Dhe pasi kriminalizoi strukturën shtetërore e ktheu Shqipërinë në një hambar droge. Hambari i drogës tani prodhon me skllavërimin e mijëra shqiptarëve miliona euro për këta kriminelë dhe për Edi Ramën”, tha Basha.

Ai nënvizoi se, “hallka që duhet këputur është ajo midis krimit dhe pushtetit”. “Ne kemi hedhur një hap të madh si opozitë dhe për këtë duhet të jemi krenarë që është ligji për dekriminalizimin. Është e qartë se po t’i largohen një nga një figurat kriminale me të cilat menaxhon dhe mban pushtetin, ky është fundi i Edi Ramës. Prandaj nuk e zbaton ligjin e dekriminalizimit”, tha Basha.

Ai shprehu bindjen se, po të zbatohet ligji për dekriminalizimin, Shqipëria nuk do të mbushej me drogë.

“Por mbi të gjitha është e qartë dhe ju e keni më të qartë se askush tjetër që krimi në pushtet, droga dhe korrupsioni ka një dhe vetëm një qëllim, t’ju marrin votën, t’ju marrin pushtetin. Dhe pastaj me pushtetin që iu marrin prapë t’ju vjedhin, prapë t’ju venë zabërhanë e kriminelë mbi kokë, që kur të vijë radha, prapë t’ju marrin votën. Rruga e vetme për të ndalur këtë qerthull shkatërrues për Shqipërinë dhe shqiptarët është t’i themi Edi Ramës që me ty nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shtoi Basha.

Top Channel