Basha: Rama u mohoi arsimin 18 mijë maturantëve. Tani tallet me ta

11/10/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se, 18 mijë maturantë, mes tyre mijëra me rezultate shumë të mira dhe të shkëlqyera, vazhdojnë të jenë në ankthin e pritjes nëse do të arrijnë të ndjekin studimet sipas meritës dhe preferencës.

“Ata dhe prindërit e tyre që kanë sakrifikuar gjithçka për shkollimin e tyre nuk kanë asnjë përgjigje pse nuk janë vlerësuar rezultatet e shkëlqyera të fëmijeve të tyre. E ndërsa prisnin zgjidhje, autori i kaosit dhe pasigurisë së krijuar iu dhuroi një tjetër mashtrim dhe përqeshje, që në orët e para të mëngjesit”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, “nga bordi i një avioni privat, i shkëputur totalisht nga realiteti, Rama vazhdoi avazin e gënjeshtrave dhe talljeve me endrrat e mijëra të rinjve të cilëve ju ka vjedhur të ardhmen me aferat korruptive që fshihen pas pseudoreformës në arsim”.

“Për Ramën vlejnë vetëm milionat korruptive që fut në xhepat e tij dhe miqve të tij. Maturantët janë “viktimat” e radhës të pushtetit të tij të korruptuar”, ka thënë Basha.

Kreu i opozitës ka premtuar se, “transparencë, meritë-preferencë dhe mbështetje buxhetore do të kenë të rinjtë shqiptarë pas shfuqizimit të pseudoreformës Rama. Shqiperia, më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Basha.

Top Channel