Meta, fushatë në Berat e Kuçovë: Mesazhi ynë, i ndryshëm nga i të tjerëve

09/10/2016 00:00

Ilir Meta vazhdon fushatën e tij për zgjedhjen e kreut të LSI-së, që do të mbahen më 6 nëntor. Gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në Kuçovë dhe në Berat, Meta tha se mesazhi i partisë që ai drejton bën diferencën nga partitë e tjera.

“Mesazhi i LSI-së bën diferencë të madhe me ato të të tjerëve, sepse është një mesazh i përqendruar tek e ardhmja, tek e nesërmja. Është një mesazh që është i përqendruar te zgjidhja e problemeve dhe jo te krijimi i problemeve të reja. Është një mesazh i përqendruar te bashkëpunimi dhe jo te konflikti. Tani është koha që të kërkojmë një përfaqësim dhe një performancë të re nga të gjithë përfaqësuesit e LSI-së në të gjitha nivelet. Dhe përmes kësaj cilësie, ne do të forcojmë edhe më tej imazhin e LSI-së. Ky imazh do të jetë edhe mesazhi që duhet të perceptohet nga të gjithë”, tha Ilir Meta, kreu i LSI-së.

Për Ilir Metën, javët në vijim, deri në ditën e zgjedhjeve për kryetar dhe Konventën e LSI-së, duhet të shërbejnë për të zhvilluar një proces ndryshe politik.

“Duhet që, të gjithë këtë kohë përpara ta shfrytëzojmë për të zhvilluar një proces organizativ të shkëlqyer, transparent, model. Por njëkohësisht edhe një proces politik reflektues brenda LSI-së, për të parë jo vetëm arritjet, por njëkohësisht edhe për të qenë kritik ndaj gjithçkaje që ne duhet të përmirësojmë më tej, si dhe të gjithë aktivitetin e LSI-së si forcë politike, si forcë qeverisëse në nivel qendror, në nivel vendor, në raportin e saj me qytetarët, në raportin e saj me komunitetin”, shtoi më tej Meta.

Në takimin me strukturat në Kuçovë ishte i pranishëm edhe ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili shprehu bindjen se me një punë të mirë organizative, LSI-ja do të jetë forcë e parë në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA