Noka: Tahiri, njësoj si një vrasës gjakftohtë

08/10/2016 00:00

Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Brendshëm për drogën, duke thënë se, Tahiri u shfaq sot “si një vrasës gjakftohtë që bën si i penduar për të përfituar nga falja”.

“Por vrasësi gjakftohtë në rastin më të parë do kthehet prapë tek vrasja e ashtu dhe Tahiri, sa të fillojë sezoni i mbjelljes do të kthehet prap tek arat e kanabisit, sepse këtë ka bërë për tre vjet me radhë duke e 5-fishuar sipërfaqen e me kanabis nga një vit më parë”, ka thënë Noka.

Ai ka ironizuar fjalët e Tahirit se, “i kupton qytetarët që ngasja për të luftuar papunësinë i çon tek mbjellja e drogës”, “por nuk tha se ai dhe Edi Rama e rritën papunësinë dhe varfërinë pikërisht për t’i detyruar qytetarët të punojnë si skllevër në parcelat e Habilajve, Balilajve e trafikantëve të tjerë që me lejen e tyre kultivojnë kanabis”, ka vijuar Noka.

Ai ka akuzuar ministrin e Brendshëm se u jep mbrojtje, nuk i arreston dhe i ndihmon bosët e drogës të arratisen. Njësoj “siç bëri me Balilajt, Frrokajt e shumë të tjerë. Sot Tahiri nuk tha asnjë fjalë për personin përgjegjës për 23 tonë kanabis të sekuestruara nga Prokuroria në Vlorë. Nuk tha asnjë fjalë për policët që me urdhër të tij u japin mbrojtje dhe ruajnë arat me kanabis. Nuk ka tha asnjë fjalë për kërcënimin që trafikantët i bënë një prokurori në prani të policisë”, ka thënë Noka.

“Sot, me zërin që i dridhej e gjuhën e trashur nga humbjet e fundit të miqve të tij trafikantë, u tha qytetarëve mos mbillni kanabis edhe pse ata janë thejsht punonjës-skllevër në arat e miqve të tij. E vetmja gjë me kuptim që duhej të bënte sot Tahiri ishte dorheqja”, ka shtuar Noka.

Top Channel