
Një trajner i një skuadre modeste në veri të Norvegjisë i dëshpëruar nga niveli i lojtarëve që ka nën urdhëra, ka bërë një thirrje të dëshpëruar në internet për ndihmë.
Menaxheri ka publikuar në internet një video-mesazh të shkurtër ku shpjegon “idenë” sesi ta bëjë skuadrën e Nordstranda nga një ekip që mezi njihet në Norvegji, në ekipin më të madh në botë brenda dy dekadave.
“Më duhet ndihma juaj për të siguruar spermë të famshme. Quhem Tofte. Jam një trajner në veri të Norvegjisë dhe trajnoj prej 30 vitesh. Kam trajnuar më shumë se 1 mijë lojtarë në karrierën time dhe tani shumica e tyre janë të dobët, të plakur, madje disa janë të shëndoshë, shumë të shëndoshë”, nis mesazhin e tij trajneri.
Pasi prezanton veten, trajneri prezanton idenë sesi të sigurojë talente brenda 20 viteve të ardhshme.
“Jam i lodhur nga kjo situatë, por e kam një ide. Brenda 20 viteve, Nordstanda do të jetë skuadra më e mirë në botë. Si? Të dashurat e lojtarëve të mi do të mbeten shtatzënë me lojtarët më të mirë në botë, ndaj kërkoj ndihmën tuaj. Përhapni fjalën! A njihni dikë që njeh Zlatan, Ronaldon apo Paul Gazza. Ju lutem më ndihmoni! Duhet të flas me ta!”, thotë ai.
Top Channel