Rama: PD, luftë reformës. Po sulmon edhe ambasadorin e SHBA

06/10/2016 00:00

Duke marrë fjalën në seancë plenare, kryeministri Rama ka akuzuar Partinë Demokratike se po bën gjithçka për të penguar reformën në drejtësi, duke zgjedhur të sulmojë, sipas tij, edhe ambasadorin amerikan. Në fjalën e tij, Rama ka ironizuar edhe kërkesën e opozitës për referendum për ligjin e mbetjeve.

“Një referendum do të ishte i sinqertë nga PD nëse do të ishte një referendum për të përzënë Ambasadën Amerikane nga Shqipëria. Megjithatë, kjo është diçka që zëmra mund t’jua dojë por gjunjët nuk jua mbajnë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se, “kazani më i madh i mbeturinave, korrupsionit, krimit dhe mafias është sistemi i drejtësisë”. “Dhe sot jemi këtu një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit. Dje, pasi erdhi këtu më 21 korrik dhe votoi me pahir reformën kushtetuese, depozitoi në gjykatë rrëzimin e vetting-ut, sistemit që do të pastrojë kazanin e sistemit të drejtësisë nga plehrat”, ka thënë Rama.

Ai ka nënvizuar se, “sot axhenda e Kuvendit është vazhdimi i kësaj reforme, do apo nuk do PD, voton apo nuk voton PD”. Opozita, sipas tij, “ligjet e tjera që reflektojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe hapin rrugën e zbatimit të tyre i ka ndarë si me lugë, ku thonë: këtë mund ta hamë, këtë nuk duam ta prekim me dorë”. 

“Kanë ndarë mënjanë si gjithmonë, që kur ka filluar ky proces, vetëm Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe bëjnë sikur nuk e dinë që kjo strukturë pa institucionet e tjera nuk mund të ngrihet. Në emër të frikës së tyre, nga ajo që mendojnë që i pret nga zbatimi i reformës, duan t’ua mohojnë shqiptarëve aksesin në drejtësi si të barabartë”, ka shtuar Rama.

Top Channel