Bylykbashi: Qëndrimi ynë, që Rama të mos kapë drejtësinë

06/10/2016 00:00

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka rikonfirmuar qëndrimin e opozitës sa i takon ligjit të vetting-ut, me qëllimin e vetëm që drejtësia të mos kapet nga qeveria e sotme dhe ajo e nesërme.

“Kjo qeveri e korruptuar, ky kryeministër i korruptuar dhe ju që jeni me të, apo edhe Lulzim Basha nesër në pushtet e çdo kryeministër më pas të mos kenë mundësi ta kapin drejtësinë”, ka deklaruar Bylykbashi.

Duke denoncuar përjashtimin e opozitës në këtë proces, ai ka nënvizuar se, opozita kërkoi vetëm një gjë: “moskapje përmes konsensusit”.

“Komisioni i Venecias ishte në anën tonë. Po të mos ishte për kontributin e opozitës, sot shqiptarët do të kishin kushtetutë draftin skandaloz të vitit 2015, instrumentat dhe një platformë totale për kapjen e drejtësisë nga ju, nga ekspertët tuaj, edhe nga ata që marrin 18 mijë euro në muaj”, ka thënë Bylykbashi duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës.

“Në mos, do të ishte drafti po aq skandaloz i janarit 2016. Edhe atë jua rrëzoi Venecia, pastaj erdhi zonja Nuland dhe komisioneri Hahn dhe jua ndryshuan”, ka vijuar deputeti demokrat.

Sipas tij, “konsensusi do të bëjë të mundur që këto të çara në sistem t’i mbushim së bashku”. “Para 22 korrikut ishte arritur një marrëveshje e pashkruar, por e konfirmuar. Kushtetuta dhe 7 ligjet organike që e bëjnë funksionale atë do të akordoheshin së bashku. Marrëveshja ishte që 7 ligjet të miratoheshin me konsensus. Por pas 21 korrikut filloi krisja e marrëveshjes, për të bërë të mundur atë që ka ndodhur deri më sot. Ky kryeministër i prishi të gjitha marrëveshjet”, ka thënë Bylykbashi.

Ai komentoi edhe sekuestrimin e 10 tonelatave kanabis në Mat, duke theksuar se, prokurori i çështjes u prit me armë nga bandat për ta penguar. “Kështu do të jetë drejtësia”, ka thënë Bylykbashi, i cili ka denoncuar edhe ligjin e mbetjeve, të kundërshtuar nga Rama në opozitë e të miratuar tashmë në pushtet.

“Një besëprerë nuk mund të bëjë gjë tjetër vecse të fusë thikën pas shpine”, ka shtuar Bylykbashi duke iu referuar Ramës.

Top Channel