Vetting-u në Kushtetuese, PD: Pro reformës, por nuk shkelim Kushtetutën

05/10/2016 14:30

Për 7 ligjet bazë të reformës në drejtësi, Partia Demokratike ka 3 qëndrime. Ligji i vetting-ut u ankimua në Gjykatën Kushtetuese me argumentin se i jep qeverisë kompetenca antikushtetuese për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues, është 100% në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias”, ka deklaruar deputeti Oerd Bylykbashi.

Opozita e ankimoi vetting-un pavarësisht paralajmërimit të amabsadorit amerikan se ky vendim mund ta identifikojë me gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

“Nuk ka nevojë të mi citoni sepse nuk pres nga asnjë ambasador të më tregojë cila është detyra kushtetuese e PD, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë”, ka thënë kryetari i PD, Lulzim Basha.

Megjithatë, me amerikanët opozita ka rënë dakord dhe do të miratojë të enjten një ligj tjetër shumë të rëndësishëm. Ai është ligji për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, Gjykatës Speciale dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që kanë për detyrë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.

“Struktura që votohet nesër, nëse zbatohet ashtu siç votohet, do të jetë makthi i çdo qeveritari të korruptuar, i çdo qeveritari të lidhur me krimin, duke nisur me ministrin e Brendshëm, kryeministrin dhe ministrat e tij”, ka thënë Basha.

Por të enjten opozita nuk do të votojë 5 ligje të tjera të reformës në drejtësi me argumentin se ka devijime nga Kushtetuta, duke tentuar ndikimin e qeverisë tek insitucionet e reja të drejtësië.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA