Salento, sekuestrohen 734 kg hashash. Në pranga 3 shqiptarë

05/10/2016 00:00

Trafiku i drogës në aksin Shqipëri-Itali, më saktësisht nga pika e Salentos, duket se nuk ka të ndalur. Gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës, një sasi tepër e madhe marijuane është kapur në det nga Guardia di Finanza italiane, të cilët operonin në kanalin e Otrantos.

Pas një ndjekjeje jo shumë të gjatë, 3 shqiptarë janë arrestuar, të cilët transportonin me anë të një gomoneje mbi 700 kg marijuanë.

Operacioni antidrogë, i disati i zhvilluar gjatë muajve të fundit, ka nisur në Otranto, kur motovedetat italiane kanë pikasur një gomone të përmasave të mëdha, të aftë të lundronte edhe nëpër oqeane, e që udhëtonte në drejtim të Lecces. Në bordin e saj ndodheshin 3 skafistë shqiptarë dhe 734 kilogramë drogë e llojit hashash.

Tre shqiptarët janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgimin më të afërt, në pritje të ngritjes së akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës. Droga e sekuestruar kap një vlerë të përafërt tregu prej 7 milionë eurosh.

Top Channel