Meta pret ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt

05/10/2016 13:45

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Bernd Borchardt, të cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe i uroi suksese në detyrën e re.

Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me OSBE-në dhe vuri në dukje se Kuvendi është i gatshëm ta intensifikojë atë më tej. Në këtë kuadër u vlerësua kontributi i OSBE-së në drejtim të përmirësimit të aktivitetit parlamentar të Shqipërisë, duke mbështetur rritjen e standardeve të transparencës, monitorimit dhe përcjelljes së aktivitetit parlamentar më pranë qytetarëve shqiptarë.

Ambasadori Bernd Borchardt shprehu kënaqësinë e rikthimit në Shqipëri në krye të Prezencës së OSBE-së dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin si dhe vullnetin për të mbështetur avancimin e reformës elektorale sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kryetari i Kuvendit, Meta nënvizoi në përfundim rëndësinë e çdo ndryshimi që prej reformës elektorale që garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor, pasi standardet e zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm legjitimitetin dhe integritetin e institucioneve të reja, por edhe dinamikën e integrimit evropian për të ardhmen.

Top Channel