Publikimi i “Mirait”, kodit kompjuterik të përdorur për të ndërmarrë sulmin më të madh të faqeve në internet, ka shtuar shqetësimin e ekspertëve të sigurisë në lundrim, që parashikojnë shtim të këtyre sulmeve në të ardhmen.

“Mirai” është publikuar në një form hakerash. Ai funksionon përmes skanimit të çdolloj pajisjeje që ka internet dhe është në gjendje të shfrytëzojë ato që janë pak të mbrojtura dhe me fjalëkalime që nuk konsiderohen të sigurta nga ekspertët e sigurisë.

I njëjti kod besohet se është përdorur për të sulmuar blogun e Brian Krebs në fund të shtatorit. Krebs është një ekspert i njohur i sigurisë kibernetike që përdor blogun e vet për këshilla në këtë fushë.

Në fund të shtatorit, blogu i tij ishte viktimë e një sulmi kibernetik (DDos) në shifra marramendëse; më shumë se 620 gigabit trafik për çdo sekondë.

“Publikimi i këtij kodi në internet na siguron që në të ardhmen rrjeti do të jetë i mbushur me sulme të ngjashme”, thotë Krebs.

Sulmi ndaj blogut të Krebs ishte më i madhi i ndërmarrë ndonjëherë në rrjet, por që u eklipsua nga ai mbi kompaninë franceze të ofrimit të ‘hoste-ve’, OHV, që shkoi në më shumë se 1 terrabit për sekondë (1 mijë gigabit).

Top Channel