Policia rrugore, rreth 5 mijë ndëshkime në fundjavë

03/10/2016 00:00

Policia Rrugore vijon operacionet në mbarë vendin për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, e sidomos të nenit 170 të Kodit, ai që ka të bëjë me rripin e sigurimit.

Policia thotë se në 3 ditët e fundit janë ndëshkuar 685 drejtues mjetësh, ndërsa në total janë vendosur rreth 5 mijë masa administrative dhe janë arrestuar 20 persona, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për mungesë të lejes së drejtimit.

Në total, thotë policia, në këto 3 ditë janë pezulluar 122 leje, 18 prej të cilave për tejkalim të normave të alkoolit, 76 për tejkalim të shpejtësisë dhe 28 të tjerat shkelje të semaforit dhe rregullave të tjera të Kodit Rrugor.

Pjesë e kontrolleve të policisë ka qenë edhe siguria për drejtuesit e motoçikletave, ku janë marrë 108 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

Policia thotë se edhe në ditët në vijim do vijojë zbatimi i rreptë i Kodit Rrugor jo vetëm për rripin e sigurimit, por për të gjithë shkelësit e Kodit Rrugor me qëllimin e vetëm rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Top Channel