Kujdes me bombolat! ISHTI: Blerja, vetëm në pikat e licencuara

03/10/2016 00:00

Ulja e temperaturave sjell edhe rritjen e përdorimit të gazit të lëngshëm nga qytetarët në mjedise shtëpiake. Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial bëri thirrje që bombolat të blihet vetëm te pikat e licencuara, pasi vetëm kështu ulen mundësitë e aksidenteve.

“Mbushja e bombolave në autogaze është e ndaluar. Dua t’u them përsëri qytetarëve, që për blerjen e bombolave t’u drejtohen vetëm shitësve të autorizuar. Ata duhet të përdorin vetëm bombola, të cilat kanë kaluar përmes kontrollit teknik”, tha Nako Petro, nga ISHTI.

Sipas ligjeve në fuqi, pronarë të bombolave janë vetëm kompanitë e licencuara, të cilat duhet të bëjnë kolaudimet.

“Në çdo 5 vite duhet bërë kontrolli i bombolave të gazit. Dihet që çdo dy vite duhet bërë ndryshimi i tubit të gomës së bombolës së gazit, që përdoret në shtëpi. Rreth 50 për qind e aksidenteve që ndodhin sot në botë vijnë nga ambientet e gatimit. Prandaj, kujdesi që duhet të tregojnë qytetarët në ambientet e gatimit duhet të jetë shumë i madh”, deklaroi më tej Nako Petro.

Në Shqipëri qarkullojnë rreth 600 mijë bombola gazi. Inspektoriati, së bashku me Ministrinë e Energjisë, do të ngrejnë një grup pune për kontrollin e të gjitha shoqërive të tregtimit të gazit, nëse bombolat janë brenda standardeve të përcaktuara.

Top Channel