
Pep Guardiola provon shijen e hidhur të humbjes me Manchester Cityn në ndeshjen e tij të 13 zyrtare me këtë skuadër. Tottenham fitoi 2-0 sfidën ndaj “qytetarëve” duke bërë që skuadra që nuk ak pësuar ende humbje edhe pas 7 javësh në kampionat të jetë ajo vetë.
Ndërkohë, Mauricio Pochettino konfirmohet si “armiku” i Guardiolës. Pas asaj fitore historike në derbin e Katalonias ku Espanyol, që drejtohej nga argjentinasi, fitoi ndaj Barçës së Pep në “Camp Nou”, tashmë Pochettino e mposht edhe në Angli.
Tottenham e kishte analizuar mjaft mirë ndeshjen e Cityt ndaj Celtic dhe arriti shumë mirë të përfitojë nga dobësitë e skuadrës nga Manchesteri. Djemtë e Guardiolës nuk ishin vënë aq shumë në vështirësi në asnjë ndeshje deri më tani, duke u mbyllur në gjysmën e fushës për minuta të tëra.
Starti i mirë i Tottenham jep frytet që në minutën e 9, kur një korsim nga e majta e Rose gjen mbrojtësin e Cityt, serbin Kolarov, i cili shënon një autogol horror.
Ende pa u mbyllur pjesa e parë, në të 37-n, sërish mbrojtja e Guardiolës bie dhe vendasit shënojnë golin e dytë. Pas një topi të Don, mesfushori anglez Alli shënon për 2-0.
Në pjesën e dytë, ishte sërish Tottenham që dikton ritmin e lojës, që kishte edhe mundësinë më të mirë për të çuar shifrat në 3-0, por Lamela dështon nga pika e bardhë.
Në sfidën tjetër të orës 15:15, kampionët e Lecister nuk arritën më shumë se një barazim pa gola ndaj Southampton në shtëpi. Skuadra e Ranierit vazhdon të vuajë në sezonin e ri duke grumbulluar 8 pikë në 7 ndeshje.
E diela rezultoi të ishte një ditë për t’u harruar edhe për Jsoe Mourinhon. “Djajtë” dështuan të marrin tre pikë në shtëpi ndaj Stoke, duke barazuar 1-1. Martial kaloi United në epërsi, por një gabim i De Geas i dha mundësinë Allen të barazojë për miqtë.
Top Channel