
Gianni De Biasi ndoshta nuk e priste, që vetëm disa orë pas zyrtarizimit të listës për kualifikueset e Botërorit, një prej emrave të grumbulluar t’i jepte sinjale të qarta në fushë, se ndoshta meriton më shumë.
Tekniku i kombëtares kuqezi grumbulloi talentin 21-vjeçar, Eros Grezda, i cili ishte protagonist në ndeshjen e fundit në kampionatin kroat.
Talenti nga Gjakova shënoi dy golat e fitores 2-0 të Lokomotivës së Zagrebit në fushën e RNK Splitit. Grezda vulosi suksesin e miqve kryeqytetas brenda 6 minutash në pjesën e dytë.
Në fillim ai zhbllokoi rezultatin me një goditje brenda zonës, e më pas në minutën e 65-të u tregua i aftë që të mos dështonte në një rast pranë vijës fatale ku i duhej vetëm të shtynte topin për në rrjetë.
Mesfushori me tipare sulmuese ngjitet në kuotën e 3 golave në 8 ndeshje të luajtura këtë sezon, ndërsa Lokomotiva katapultohet në vendin e 5-të me 11 pikë, në po kaq javë. Për miqtë ishte në fushë edhe Amir Rrahmani, ndërsa në kampin vendas luajti për 90 minuta Elis Bakaj, i cili nuk mundi të bënte dot gjë për të shmangur disfatën e ekipit të Splitit.
Top Channel