Trump i përgjiget Miss-it. Klinton ironizon: U çua në tre të mëngjesit

01/10/2016 00:00

Kur vendosi të bënte përpara e të tregonte sesi kandidati presidencial republikan e pat tallur e ofenduar dikur, ish Miss Universi Alicia Machado e dinte se do të kishte një kundërpërgjigje.

Por nuk e ka menduar se deri ku mund të shkonte Donald Trump. Manjati reagoi me një varg postimesh në Twitter, ku i ftonte amerikanët të verifikonin historinë personale të Machados dhe atë që ai pretendon se është një “kasetë seksi” e saj. Përpos kësaj, në akuza kishte përfshirë dhe kundërshtaren Hillary Klinton me pretendimin se i ka siguruar nënshtetësinë amerikane misit të lindur në Venezuelë. Kaq u desh që kampi i kandidates demokrate të hidhej në kundërsulm. Kjo, tha Klinton, ishte e tepërt edhe për vetë Trumpin.

“Tani, të jemi serioze. Kush ngrihet në 3.00 të mëngjesit për t`i hyrë sherreve në Twitter me një ish Miss Universi. Dua të them, lëshoi sa më shumë ofendime që mundi. Përse e bën një gjë të tillë? Ato komentet e fundit ishin të tepërta edhe për atë vetë. Kjo tregon përsëri se me karakterin që ka, ai nuk mund të bëhet president. Njeriu që arrin e provokohet nga një mesazh në Twitter, nuk duhet lejuar që t`iu afrohet kodeve nukleare”, tha Klinton.

“Të vërtetën e kam me vete në mendjen dhe në zemrën time. Ky njeri i urren gratë. Po përpiqet edhe një herë të më shkatërrojë, por ç`është më e rëndësishmja po tenton të shmangë vëmendjen nga fakti që ai si person vetë, ka probleme shumë të mëdha”, tha  Alicia Machado, ish Miss Universi.

Machado u vu në qendër të vëmendjes pas pohimeve se në kohën kur zotëronte konkursin e bukurisë, Trump e kishte tallur për kilet e marra pas fitores në 1996-tën, duke e quajtur “Miss Derrkucja”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta