
Për më shumë se 3 ditë, policia ka kryer një operacion antikanabis në të gjithë rrethin e Matit, duke asgjësuar të paktën 13 mijë rrënjë bimë narkotike, si dhe sekuestruar 3 tonë bimë gjysmë të tharë, gati për t’u paketuar.
Bima narkotike u gjet në territorin e fshatit Rremull, gjatë kontrollit në banesën e Shpëtim Likës, i cili u shpall në kërkim.
Banesa nuk ishte e banuar, por ajo administrohet nga 45-vjeçari i shpallur në kërkim, i cili dyshohet se po e përpunonte drogën.
Në vijim të veprimeve në afërsi të vendit ku u gjet bima narkotike është gjetur një automjet i braktisur tip kamionçinë me targë TR 1344 U. Ky automjet është sekuestruar nga ana e policisë në cilësinë e provës materiale për veprime të mëtejshme. Nga verifikimet paraprake të kryera rezulton se ky automjet i përket Firmës AREKLA SH. P. K.
Ndërsa në vendin e quajtur Përroi i Kurvajës u gjetën 4 parcela, ku ishin kultivuar 4.000 rrënjë gjithsej, që u asgjësuan në vend me anë të djegies, në prani edhe të prokurorëve.
Policia, në një deklaratë të sajën mohoi që të ketë punonjës policie të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Top Channel