Depozitat, sigurim edhe biznesi. Udhëzimi i Bankës Qendrore: Deri në 2.5 mln lekë

29/09/2016 00:00

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm skema e sigurimit të depozitave do të përfshijë edhe kursimet e biznesit. Banka e Shqipërisë ka miratuar dy udhëzime të posaçme, të cilat përcaktojnë se ashtu si individët edhe kursimet e biznesit në banka do të garantohen nga shteti deri në masën 2.5 milionë lekë ose mbi 18 mijë euro.

Sipas udhëzimit, skema siguron të gjitha llojet e kursimeve, pavarësisht nëse ato janë të vendosura në bankë si depozita, llogari rrjedhëse apo çdo instrument tjetër kursimi.

Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se deri në fund të vitit 2015 biznesi kishte 145 miliardë lekë ose mbi 1 miliardë euro depozita në sistemin bankar.

Nga këto do të sigurohen plotësisht rreth 40 miliardë lekë ose 28 për qind e totalit, që sipas ASD i korrenspondojnë 126 mijë bizneseve.

Skema e sigurimit të depozitave siguron deri në 2.5 milionë lekë për çdo depozitë në secilën bankë. Në rastin e bizneseve ata mund të përfitojnë edhe nëse kanë depozitë si individë, pasi ligji mundëson sigurimin e te dyja depozitave.

Sigurimi i depozitave të biznesit ishte një nga rekomandimet kryesore të Bankës Botërore, pas vlerësimit që ky institucion kreu mbi sistemin financiar të Shqipërisë dy vjet më parë. Po kështu Agjencia e Sigurimit të Depozitave thotë se kjo masë është në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA