Nis reforma zgjedhore. PD-PS, konsensus për afatet. Kërkesa të ndryshme

28/09/2016 11:00

Socialistë e demokratë ishin në një mendje kur vendosën dhjetorin, si afatin e fundit për të bërë ndërhyrjet e nevojshme për Kodin Zgjedhor, pasi Kuvendi ka humbur kohë duke menduar vetëm për Reformën në Drejtësi.

Këtë herë, nën bashkëdrejtimin e Oerd Bylykbashit dhe Taulant Ballës, në vend të Bashkim Finos, Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore u mblodh për të vendosur për kalendarin e punës. Opozita erdhi në tryezë me një propozim të detajuar për atë çfarë – sipas saj, – duhet të përmbajë Kodi i ri Zgjedhor.

“Gjykoj që çështjet më prioritare të këtij komisioni janë votimi elektronik dhe identifikimi biometrik i zgjedhësve. Shqetësim janë listat e zgjedhësve, nuk duhet të lejojmë që të precipitojë situata si në vitin 2001. Kjo gjë do rrënonte të drejtën e votës, siç ndodhi në vitin 2015. Të mos kthehemi 10 vite prapa. Një tjetër kolonë e rëndësishme është trajtimi i korrupsionit politik, shitblerjen e votës. Ka një rrjet agjentësh për shitblerjen e votës, të cilët dëmtojnë procesin zgjedhor dhe politik në Shqipëri”, tha Oerd Bylykbashki, bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Për Taulant Ballën, prioritet i punës së këtij komisioni duhet të jetë përfshirja e emigrantëve në listat zgjedhore të vitit 2017.

“Është shumë e rëndësishme përfshirja e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme, pasi 1/3-ta e shqiptarëve jetojnë jashtë. Duhet ta zgjidhim këtë çështje deri më 20 dhjetor, kur përfundon ky sesion parlamentar”, tha Taulant Balla, bashkëkryetar.

Mazhoranca dhe opozita ishin në një mendje, edhe kur kërkuan asistencë ndërkombëtare për të realizuar një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve.

Top Channel