Schroeder: Merrni vendimet e duhura dhe zbatojini

27/09/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi mëngjesin e kësaj të marte një takim me ish-Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Gerhard Schroeder, i cili po viziton Tiranën.

Gjatë takimit, Meta i shprehu zotit Schroeder mirënjohjen e thellë për vëmendjen dhe mbështetjen e pandalur të Gjermanisë ndaj zhvillimit ekonomik dhe avancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Nga ana e tij, Schroeder u shpreh se Gjermania do t’i qëndrojë fjalës së saj për të mbështetur avancimin e Shqipërisë drejt procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe vuri në dukje se, “ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të marrë vendimet e duhura, por edhe t’i zbatojë ato”.

Duke iu referuar reformës në drejtësi, ish-kancelari nënvizoi se ka arsye të mjaftueshme për të qenë pozitivë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit.

Mes palëve u nda bindja e përbashkët se duhet punuar më shumë për të evituar çdo retorikë konfliktuale dhe për të rritur besimin mes palëve, veçanërisht në trajtimin e çështjeve madhore të integrimit evropian.

Top Channel