Basha nis tur bashkëbisedimi: PD aleancë me qytetarët

27/09/2016 00:00

Humbja e zgjedhjeve në Dibër e ka detyruar kreun e opozitës, Lulzim Bashën, të nisë një tur kombëtar bashkëbisedimi me demokratët. Qëllimi është të përgatisë strukturat për një betejë të ashpër politike, kur mosbesimi i opozitës tek qeveria për organizimin e zgjedhjeve është maksimal.

“Pyetja që shtrohet është kjo: Po mirë, kur këta kanë paratë e tenderave e të korrupsionit, kur këta kanë paratë e drogës që e kanë mbushur si asnjëherë vendin me të, si do t’ia dilni të përballeni dhe të fitoni?! Cila është përgjigjja?! Cilët janë skenarët?! Të bëjmë bandën tonë, ushtrinë tonë të gangsterëve për t’u përballur me ushtrinë e tyre?!” Përgjigjen Basha e ka dhënë po vetë: “Çelësi i fitores tonë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë përgjigjja e bandës me bandë. Forca jonë, forca e opozitës është qytetari shqiptar. Receta e opozitës është qytetari shqiptar dhe mrekullia e opozitës do të jetë qytetari shqiptar”.
 
Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë të hetojë shefin e komisariatit të Dibrës, Robert Agën si pikë kyçe për blerjen e zgjedhjeve për bashkinë. Sipas opozitës, vetë Aga posedon parcela kanabisi në Dibër, ndërkohë që vëllai i tij u arrestua pak ditë më parë për trafik kokaine.

Partia Demokratike e ka paditur dhe thotë se këta janë tregues të mjaftueshëm për shefin e komisariatit të Dibrës, bashkë me disa persona të tjerë, duke e akuzuar për blerjen e votave. Dhe tani, opozita beson se ka prova të besueshme për ta hetuar shefin e komisariatit, pavarësisht mbrojtjes politike nga kryeministri Edi Rama.

Top Channel