Gjyqi për 8 Dhjetorin, PD: Fituam ne

26/09/2016 00:00

Partia Demokratike thotë se “pretendimi i Erion Veliajt se paska fituar gjyqin me PD në lidhje me protestën e 8 dhjetorit, është një riciklim mbetjesh e mashtrimesh të ulëta”.

“Gjykata Administrative vendosi shfuqizimin e të 7 akteve të Erion Veliajt, pra shfuqizoi pretendimet e tij sikur protesta popullore kishte shkaktuar 172 milionë lekë dëme në qytet. Gjykata e gjeti të paligjshëm dhe të pabazuar në prova pretendimin e Veliajt, të bërë edhe publik me njoftimin që bëri me 8 Dhejtor 2015, ku ai kakariste se do ta detyronte PD-në të paguante çdo qindarkë”, thuhet në deklaratën e opozitës.

PD thotë se gjykata pranoi argumentimin e përfaqësuesve të saj se “dëmet ishin fryt i fantazisë së Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe se ato nuk kishin ndodhur në të vërtetë”.

“Për më tepër, gjoba që Veliaj i vendosi protestës popullore, ishte një falsifikim i pastër, shkelje e rëndë ligjore, për të cilën ai duhet të ndiqet penalisht, pas kallëzimit që ka bërë polici bashkiak, të cilit iu falsifikua firma”, mbyll deklaratën Partia Demokratike.

Top Channel