Mungesa e mjekëve në rrethe, Beqaj: Në 2017 nis skema e re

23/09/2016 00:00

Për të zgjidhur mungesën e mjekëve specialistë në rrethe, krijuar nga bllokimi 4-vjeçar i specializimeve në univeristet, Ministria e Shëndetësisë ofron stimulim nëpërmjet shpërblimeve, të cilat nuk do të jenë vetëm 100 mijë lekë shtesë përveç pagës, pasi këtë e kanë pranuar vetëm 10 mjekë.

“Në fillim të vitit të ardhshëm kemi në plan të fusim një mënyrë shpërblimi të re për mjekët, ku të fusim elementin e pagesës sipas volumit të punës. Të mund të ushtrojnë në ambjentet e spitalit pasdite praktikë profesionale, individuale e private, në mënyrë që t’i bëjë më të lidhur me punën, të krijojnë të ardhura transparente. Sa për pagesën e mjekut roje kemi ngritur një grup pune për të parë se çfarë mund të ndryshojmë”, deklaron ministri Ilir Beqaj.

Beqaj shpjegon se përse mund të joshet një mjek që të punojë në spitalet rajonale. “Do t’i bëjë të motivuar ata që janë drejt rretheve të qëndrojnë aty. Një mjek në moshë të re mund të marrë një shpërblim shtesë për të shkuar atje. Atje mund të ushtrosh profesionin edhe në mënyrë private. Pa një investim paraprak që do ta bësh vetë në një kabinet këtu, krijohet një mjedis financiar më interesant për të atje. Një mjek specialist i druhet një spitali të largët sepse është i vetëm përpara pacientit. Nëse ne ofrojmë kushte dhe incentivë financiarë, besojmë se krijojmë kushtet që ai të punojë atje dhe të marrë edhe një shpërblim”, sqaron Beqaj.

Vitin e ardhshëm është premtuar edhe rritje page për të gjithë mjekët dhe infermierët që punojë në sistemin shendetësor publik.

Top Channel