
Fundi i restaurimit të gjatë e të mundimshëm të shkallëve ikonë spanjolle të Romës u kremtua me një koncert të hapur në kryeqytetin italian. Koncerti-homazh erdhi nën intepretimin e orkestrës kombëtare të Santa Cecilia dhe dirigjimin e Antonio Pappano-s.
Roma po e rihap këtë simbol të sajin pas një periudhe të gjatë restaurimi të realizuar me fonde private. Autoritetet vendore i kanë kërkuar vizitorëve që nga ky moment, t`i trajtojnë me kujdes më të madh shkallët e shekullit të 18-te në mënyrë që të parandalohet një dëmtim i ri i tyre.
Firma italiane e mallrave të luksit “Bulgari” pagoi 1.5 millionë euro për riparimin e 135 shkallëve që me kalimin e kohës kishin humbur shkëlqimin, ishin njollosur e qenë krisur.
Vendi ku Audrey Hepburn takoi Gregory Peck në filmin e 1953-shit, “Pushime Romane”, i është nënshtruar pastrimit me lëndë kimike, në disa vende janë shtuar pjesë gurësh e barishtet e këqija janë hequr nga parmakët.
“Bulgari” ishte një prej disa kompanive që iu përgjigjen thirrjes për fonde nga investitorë privatë me qëllimin restaurimin e monumenteve, gjendja e të cilëve është përkeqësuar pas vitesh të tëra shkurtimi të shpenzimeve.
Top Channel