
Prokurorët federalë të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur tashmë 10 akuza ndaj nënshtetasit amerikan të lindur në Afganistan, i dyshuari kryesor për bombat e vendosura në Nju Jork dhe Nju Xhersi gjatë fundjavës së kaluar, mes të cilave përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë, vendosja e bombave, shkatërrimi i pronës dhe përdorimi i një mjeti shkatërrues, duke e portretizuar atë si një xhihadist që lutej të binte martir dhe që kishte lavdëruar Osama bin Ladenin.
Ahmad Khan Rahami i kishte blerë pajisjet shpërthyese në “eBay”, madje kishte bërë edhe një video teksa testonte eksplozivët e krijuar në kushte shtëpiake, ndërkohë që mbante në shtëpi edhe një gazetë ku shprehte urrejtjen ndaj masakrës amerikane kundrejt muxhahedinëve në Afganistan, Irak, Siri dhe Palestinë.
“Dashtë Zoti, zhurma e bombave të dëgjohet në mbarë rrugët e Amerikës. Sikurse edhe të shtënat e policisë suaj. Vdekje shtypjes suaj”, shkruante Rahami, i ardhur në Shtetet e Bashkuara në moshën 7-vjeçare, mbi faqen e gazetës që mbante me vete edhe në momentin kur u arrestua.
Rahami u arrestua të hënën në Linden të Nju Xhersit, pas një shkëmbim zjarri me policinë, si pasojë e të cilit mbeti edhe me disa plagë në trup. Të martën, gjendja e tij u raportua kritike por e qëndrueshme, ndërsa policia ende nuk ka mundur ta marrë në pyetje, bëri të ditur komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, James O’Neill.
Prokurorët federalë nga qarqe të ndryshme të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit ngritën akuza ndaj tij, respektivisht 4 të tilla në shtetin e parë dhe 6 në shtetin e dytë.
Përveç vendosjes së bombës që shpërtheu pasditen e së shtunës në “Chelsea”, zonë e Manhattanit, dhe që la 31 persona të plagosur, prokurorët ia ngarkojnë atij edhe përgjegjësinë për vendosjen e një të ashtuquajture “pipe bomb” në Nju Xhersi, që gjithsesi nuk plagosi asnjë person kur shpërtheu mëngjesin e së shtunës.
Ai akuzohet edhe për vendosjen e një bombe artizanale me tenxhere me presion në “Chelsea”, që nuk shpërtheu, si dhe disa pajisje shpërthyese në stacionin e trenit në “Elizabeth” të Nju Xhersit. Njëra prej këtyre të fundit shpërtheu në momentin kur forcat policore të çminimit përdorën një robot në përpjekje për ta çaktivizuar.
E ndërsa akuzat ndaj tij u bënë, Shtëpia e Bardhë tha për herë të parë se sulmet përbënin një akt të pastër terrorizmi. Më herët gjatë hetimeve, zyrtarët nuk e kishin bërë të ditur një vlerësim të tillë, derisa të zbulonin të paktën një motiv që do ta shtynin afgano-amerikanin për diçka të tillë.
“Duket qartë që ky ishte një akt terrorizmi”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, gjatë një informimi për shtyp në Nju Jork Siti.
Top Channel