Paketa “Amsterdam”, Dhoma e Tregtisë: Legalizim hashashit dhe prostitucionit

21/09/2016 00:00

Nga shtëpitë publike deri tek përdorimi i hashashit, “Red Light District” në Amsterdam nuk i lë asnjë hapësirë imagjinatës. Lagjja në të cilën profesioni më i vjetër në botë ushtrohet në mënyrë të ligjshme e ka shndërruar kryeqytetin holandez në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm.

Çdo vit atë e vizitojnë turistë nga e gjithë bota, që përfitojnë nga toleranca e këtij shteti për të provuar “gjëra të ndaluara” në pjesë të tjera të botës, të paktën me ligj, si prostitucioni, drogat e lehta apo pornografia.

Por a mund të jetë Amsterdami apo Frankfurti një shembull për të stimuluar turizmin në Shqipëri, për të cilin janë të dëshiruar të gjithë? Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka mendon se po.

“Pse të mos zbatojmë edhe ne formulën e Holandës Italisë apo Greqisë për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike apo sic e lejojnë ligjet europiane. Pse jo të mos kalojmë edhe ne në ligjet e tjera të cilat liberalizojnë, të merret shembulli i Gjermanisë dhe Austrisë për shërbimin e femrës”, deklaron Jaka.

Jaka thotë se kjo do të përkthehej në më shumë taksa dhe për rrjedhojë më shumë të ardhura për shtetin nga aktivitete që aktualisht ushtrohen, por në mënyrë krejtësisht informale.

Top Channel