Berlin, humbje shokuese për Merkelin. Sinjali i dytë për zgjim në dy javë

19/09/2016 00:00

Nga Berlini, partia e Kancelares gjermane Angela Merkel ka marrë një ndëshkim historik në zgjedhjet shtetërore të së dielës, një këmbanë alarmi apo një sinjal për “zgjim”, pas politikës së dyerve të hapura ndaj refugjatëve dhe emigrantëve ilegalë.

CDU-ja ka mbetur jashtë koalicionit qeveritar të këtij shteti, të cilin deri dje e formonin me socialdemokratët e qendrës së majtë.

Ndërkohë, partia antiemigracion e krahut të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) ka siguruar një tjetër triumf dhe do të hyjë në Parlamentin shtetëror për herë të parë.

Popullariteti i Merkelit ka rënë ndjeshëm që prej vendimit të vitit të kaluar, kur lejoi më shumë se një milion emigrantë të hynin në Gjermani.

Rezultati i CDU-së prej 17.6% të votave rezulton të jetë edhe më i dobëti i marrë ndonjëherë në histori në Berlin. Kjo është edhe goditja e dytë elektorale për partinë e Merkelit brenda dy javësh, pasi fillimisht u zbrit në vendin e tretë nga “AfD”-ja në zgjedhjet e Mecklenburg-Ëestern Pomeranias, në fillim të këtij muaji.

Socialdemokratët e “SPD”-së kanë dalë partia me mbështetjen më të madhe prej rreth 22% të votave, pavarësisht se ka humbur rreth 7% të elektoratit krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Ndërkaq, forca që po merr “AfD”-ja ka nxitur bashkëkryetarin e saj, Joerg Meuthen të shprehet se partia ndodhet tashmë në pozicion tepër të fortë për zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm.

“Jemi tepër të bindur se në zgjedhjet e vitit tjetër ne do të sigurojmë një mbështetje dyshifrore në përqindje”, tha ai. “AfD”-ja pritet të përfaqësohet tashmë në 10 nga 16 parlamentet shtetërore në Gjermani.

Ministri bavarez i Financave, Markus Soeder, i cili vjen nga radhët e CSU-së, partisë simotër të CDU-së, u tregua i shpejtë teksa e quante këtë rezultat “një thirrje masive për herë të dytë për zgjim”, të ardhur brenda dy javësh.

Zgjedhjet në Berlin, një qytet-shtet prej 3.5 milionë banorësh, janë dominuar nga çështje lokale si shërbimi i dobët publik, shkolla të shkatërruara, trena që vonohen dhe mungesa e strehimit, si dhe probleme në përballimin me fluksin e emigrantëve.

Top Channel