
“Ëndrra amerikane”, mbetet ëndrra jo vetëm e shqiptarëve, por edhe shumë prej europianëve. Një moto që udhëheq fusha të ndryshme të jetës, nga ato ekonomike, kulturore deri tek sportivet. Por në epokën moderne të globalizimit, ndodh që edhe një amerikani t’i plotësohet ëndrra, që në rastin e Rashnoun Broadus është një “ëndërr shqiptare”.
Basketbollisti amerikan 32-vjeçar prej disa javësh mban edhe pasaportën shqiptare dhe përfaqëson ngjyrat kuqezi në kualifikueset e Europianit të basketbollit Eurobasket 2017.
“Kjo mundësi që më dhanë për të luajtur për skuadrën përfaqësuese ishte një ëndërr për mua. Kam miq të cilët kanë marrë pasaporta të vendeve të ndryshme dhe luajnë me përfaqësueset e atyre vendeve, për këtë arsye kur mua më dhanë këtë mundësi u gëzova shumë, ka qenë gjithmonë një ëndërr e cila u bë realitet”, thotë ai.
Rashoun di shumë pak për të mos thënë asgjë për Shqipërinë, përpara ofertës së marrë nuk dinte as gjeografikisht ku ndodhej vendi ynë, megjithatë, ai duket të vlerësojë maksimalisht këdo që i bëri të mundur realizimin e kësaj ëndrre, pavarësisht se uniforma e tij nuk është ajo amerikane, por shqiptare.
“E njëjta gjë do të ishte për mua nëse do të luaja me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara, përfaqësuesen afrikane apo shqiptare. Është privilegj dhe nder të përfaqësosh këdo shtet. Kur unë vendosa që të përfaqësoj Shqipërinë u ndjeva dhe vazhdoj të ndihem shumë i entuziazmuar për këtë mundësi. Unë do të vazhdoj të jem këtu dhe mund të them që kjo është një eksperiencë e paharrueshme për mua, kështu do të mbetet përgjithmonë”, shprehet Broadus.
Antonis Konstantinides, trajneri grek i përfaqësueses sonë të basketbollit ka qenë ai i cili ka zgjedhur, e më pas bindur, basketbollistin amerikan për të qenë pjesë e kuqezinjve në këtë aventurë të re që ka filluar nën udhëheqjen e tij.
“Ka qenë fillimisht trajneri që kontaktoi me menaxherin tim dhe u ulem së bashku për të folur për situatën. Nuk ishte e nevojshme të thoshte shumë gjëra, mjafton mundësia që më dha për të luajtur me një skuadër përfaqësuese, si Shqipëria, kjo ishte e mjaftueshme për mua që të isha i gatshëm për të ardhur. Duhet të jesh i çmendur të humbasësh mundësi të tilla, në këto kohë nuk ka shumë mundësi si kjo, këtë nuk e them vetëm për vendin tuaj, por për këdo vend, kjo është një mundësi shumë e mirë”, vijon amerikani.
I lindur më 5 gusht të vitit 1984 në Utah të Shteteve të Bashkuara, Rashoun Broadus ka luajtur basketboll deri në vitin 2007 me Brigham Young University e më pas është transferuar në Europë për të luajtur në disa kampionate. Në fillim 5 vite në Lituani, për t’u transferuar vit pas viti në Ukrainë Rumani dhe Poloni. Megjithatë ëndrra e tij e madhe si e çdo basketbollisti mbetet kampionati më i bukur në botë i basketbollit NBA.
“Ehh, duhet të kuptojmë që NBA është një tjetër nivel, krejtësisht shumë i ndryshëm. Jo kujtdo i jepet mundësia që të katapultohet në NBA. Kjo mbetet ende një ëndërr për mua si lojtar dhe shpresoj që të ndodh pasi mosha që mund të luash në NBA është 35-vjeç për këtë arsye unë mbetem në pritje sepse mund të kem ndonjë mundësi, por është shumë e vështirë për këdo jo vetëm për mua që të luash në NBA, ka miliona basketbollistë që janë në pritje”, thotë ai.
Pavarësisht se Broadus është një ndër shënuesit më të mirë të kuqezinjve, skuadra jonë përfaqësuese ka zhvilluar 5 ndeshje dhe është mundur në të 5-ta, por duke treguar herë pas here sinjale pozitive.
“Aktiviteti ku ne po luajmë, pra Europiani është i një niveli shumë të lartë. Duke përjashtuar Sllovakinë, skuadrat e tjera kanë lojtar shumë të mirë si Gjeorgjia për shembull e cila ka lojtarë të cilët aktivizohen në NBA, por jo vetëm sepse lojtarët e tjerë marrin pjesë në Kupa të ndryshme europiane. Të luash kundër këtyre skuadrave është shumë e vështirë sepse skuadra jonë ka lojtarë që nuk e kanë këtë nivel eksperience. Megjithatë është shumë mirë për një skuadër si Shqipëria që merr pjesë në një aktivitet të tillë ku ne kemi mundësinë që të mësojmë dhe të përmirësohemi”, shprehet ai.
Numri 23 që mban Rashoun Broadus kujtdo i kujton 23-shin e famshëm të Michael Jordan, i tillë duket edhe ai mes kuqezinjve tanë. Ndërkohë që idhull ka pikërisht Jordan, numër ka një tjetër të preferuar.
“Unë jam rritur duke ndjekur Michael Jordan dhe padyshim që është idhulli im, por nuk e kam zgjedhur numrin 23 prej tij, por nr im është 16-ta, numri që unë kam mbajtur në klubet e mija. Kështu edhe këtu në ndeshjet e tjera do të mbaj numrin 16 sepse është data e ditëlindjes së vajzës time”, tregon amerikani.
Nëse basketbollin ka ardhur të na e mësojë, Rashoun Broadus ka diçka për të mësuar edhe nga Shqipëria, duke filluar nga gjuha.
“Faleminderit… eee… po më vendosni në siklet dhe harrova. Mirëmëngjesi… Natën e mirë… Mirë…”, tregon fjalët që ka mësuar deri më tani Broadus.
Top Channel