Porti italian i Augustës u kthye në vendin ku shkelën tokën me qindra emigrantë të mbetur në mëshirën e dallgëve pranë brigjeve libiane. Rojet bregdetare italiane nxorrën nga deti edhe 5 trupa të pajetë.
Shkaqet e sakta të këtyre vdekjeve nuk dihen ende, por, siç kujtojnë zyrtarët italianë, emigrantët shpeshherë udhëtojnë në kushte çnjerëzore, e ka raste kur më shumë se 100 vetë ngjeshen nëpër gomone që nuk i mbajnë dot aq shumë persona.
Edhe pse jo përherë, në sytë e medias dhe të politikanëve, tragjedia në ujrat e Mesdheut vazhdon. Në atë që konsiderohet si kufiri mes Europës dhe Afrikës, Italia përbën pikësynimin e mijëra vetëve që i largohen varfërisë dhe konflikteve, duke mbushur mjetet lundruese të trafikantëve. Këta të fundit e kanë shfrytëzuar sa kanë mundur vakuumin e rendit dhe ligjit në Libi, duke e përdorur vendin e përfshirë nga kaosi si platformën e biznesit të tyre.
Nisja ndodh më pak se 500 km larg ishullit italian të Siçilisë. Në samitin e Bratisllavës të fokusuar tek e ardhmja e Europes post-Brexit-it, emigracioni pritet të përbëjë njërën nga pikat më të nxehta të diskutimit.
Top Channel