PD, aksion ligjor në mbështetje të maturantëve

16/09/2016 00:00

Kreu i Departamentit të Arsimit në PD, Luçiano Boçi ka deklaruar të premten se opozita do të nisë aksionin ligjor në mbështetje të maturantëve.

“Po ndjekim hap pas hapi zgjidhjen e padrejtësisë që i është bërë maturantëve. Në përgjigje të qindra denoncimeve pranë Partisë Demomratike dhe kërkesave konkrete të tyre dhe familjarëve, PD do të japë mbështetje të plotë juridike për çdo ankesë t? depozituar”, ka deklaruar Boçi.

Ai ka njoftuar se, cilido maturant të cilit i nevojitet përkrahje ligjore për rastin e tij do të gjejë pranë Partisë Demokratike ekspertët e duhur për dërgimin e çështjes në gjykatë.

“I bëjmë thirrje çdo maturanti që të paraqesë dokumentacionin përkatës pranë Partisë Demokratike, ose në portalin që është hapur për maturantët ‘Padrejtësia ndaj maturantëve, trego rastin tënd’”, ka thënë Boçi.

Ai ka shtuar se, opozita po shqyrton dhe po përgatit edhe hapa të tjerë juridikë e kushtetues.

“Duke kuptuar kaosin dhe ankthin e kësaj situate, ju sigurojmë që vetëm përpjekja jonë e përbashkët do të sjellë e vendosë drejtësi dhe meritokraci për maturantët. T’i sprapsim së bashku hajdutët e së ardhmes së rinisë”, ka shtuar Boçi.

Top Channel