Arrestohet dy gazetarë rusë, injoruan pajisjen me viza nga shteti i Kosovës

16/09/2016 00:00

Dy gazetarë rusë të “Noboctnoi Front”, Oksana Sazonova dhe Sergej Belous, janë arrestuar mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 18:30, në Hoçë të Madhe afër Rahovecit, ndërsa kanë qenë të shoqëruar edhe nga ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Zvonko Mihajlloviç.

Gazetarët rusë dyshohet se, ditë më parë kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, në Izvore në veri të vendit, e në pjesën më të madhe të rrugës janë udhëhequr nga një person i nacionalitetit serb, identiteti i të cilit nuk dihet.

Ata do të dalin para Gjykatës Themelore të Prishtinës, ndërsa për lirimin e tyre janë angazhuar edhe përfaqësues të Ambasadës së Rusisë në Kosovë. Sipas informacioneve paraprake, gazetarët rusë kanë injoruar shtetin e Kosovës, duke mos u pajisur me vizë.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka ndaluar për verifikim dy shtetas të huaj, të cilët dyshohen se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.

“Autoritetet e Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës janë duke trajtuar rastin, ndërsa personat e ndaluar janë duke u mbajtur në qendrën për të huajt, deri në vendimin e ardhshëm apo largimin e tyre nga Kosova. Të gjitha vendimet e mëtejshme do të ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në fuqi”, ka thënë ai.

“Indeksonline” mëson se Oksana Sazonova dhe Sergej Belous ka disa ditë që janë futur ilegalisht në territorin e Kosovës. Dy gazetarët, kishin si mision nga Rusia që të merreshin me çështjet e Ballkanit, si dhe hapësirë të veçantë t’i jepnin Republikës së Kosovës. Së fundmi, ata ishin në Komunën e Shtërpcës, ku edhe kanë ndjekur së afërmi mësimet që zhvillon minoriteti serb në Kosovë.

Ata kanë raportuar për gjuhën ruse që mësohet nga klasat e 6 në fshatin Gotovusha të Shtërpcës. Siç shkruan “Indeksonline”, Belous ishte në Kosovë edhe para 4 vitesh, respektivisht më 11 mars të vitit 2012. Ai ka qëndruar për disa ditë në veri të Mitrovicës, ku edhe ka raportuar për gjendjen e serbëve në atë pjesë.

Moska, nga ana e saj, shpreson se gazetarja ruse Oksana Sazonova do të lirohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është bërë e ditur përmes një deklarate nga Ministria e Jashtme ruse.

“Rusia është e shqetësuar në lidhje me paraburgimin e raportuar të gazetares ruse, Oksana Sazonova, dhe kolegut të saj, qytetarin e Ukrainës Sergei Belous, në Kosovë. Sipas të dhënave paraprake të disponueshme, Policia e Kosovës i akuzon ata për kalim ilegal në vijën administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Ministria e Jashtme theksoi se “Ambasada ruse në Serbi dhe zyra e saj në Prishtinë janë duke bërë përpjekje të fuqishme përmes misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe EULEX-it për lirimin e menjëhershëm të gazetarëve”. Moska pret nga organizatat ndërkombëtare që të japin të gjithë kontributin e nevojshëm për lirimin e gazetarëve të ndaluar, përfundohet në deklaratë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA