
Hakerët rusë kanë vazhduar sulmin ndaj Agjencisë Botërore Antidoping duke publikuar të dhënat mjekësore të 25 sportistëve të tjerë nga SHBA, Gjermania, Britania, Çekia, Danimarka, Polonia, Rumania e Rusia.
Lajmi është publikuar nga vetë drejtuesit e WADA-s, të cilët theksojnë se mes sportistëve të cilëve iu janë zbuluar të dhënat janë edhe çiklistët Chris Froome e Bradley Wiggins dhe tenistja çeke Petra Kvitova.
Pavarësisht të gjitha këtyre publikimeve mësohet se asnjë nga këta 25 sportistë nuk janë të përfshirë në ndonjë rast dopingu.
Grupi i piratëve informatikë i njohur si “Fancy Bear”, publikoi pak ditë më parë edhe të dhënat mjekësore të motrave Williams dhe gjimnastes Simone Biles.
Për drejtuesit e WADA-s nuk ka asnjë dyshim që këto sulme janë një raprezalje kundër saj dhe të gjithë sistemit antidoping në shkallë botërore për shkak të hetimeve të kryera prej tyre pak kohë më parë që zbuluan skandalin e madh të dopingut në Rusi, ku të përfshirë ishin edhe autoritetet më të larta shtetërore.
Të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit hodhi poshtë pretendimet se grupi i piratëve informatikë ka ndonjë lidhje me qeverinë ruse apo me shërbimet sekrete, ndërkohë që qeveria amerikane është duke e hetuar rastin e sulmit kibernetik ndaj WADA-s.
Top Channel