Powell: Trump, fatkeqësi kombëtare!

15/09/2016 00:00

“Një fatkeqësi kombëtare!”. Kështu e quan ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, kandidatin republikan për presidencën Donald Trump në disa e-maile personale, të cilat janë bërë publike së fundmi. Komentet e gjeneralit me 4 yje u zbuluan pas shënjestrimit të llogarisë së tij nga një sulm kibernetik.

E-mailet u publikuan në “DCLeaks.com”, faqe që është lidhur edhe me sulme të tjera të profilit të lartë. Powell, i cili qëndroi në heshtje gjatë zgjedhjeve paraprake, nuk pranoi të komentonte rastin, por as nuk e mohoi atë.

Vlerësimet për manjatin e pasurive të patundshme ai i kishte bërë gjatë një korrespondence elektronike të dërguar në 17 gusht për Emily Miller, një gazetare dhe ish-ndihmëse e Powell.

Ish-Sekretari i Shtetit nën administratën e George W. Bush e quante Trumpin një njeri të flakur nga shoqëria i cili është në procesin e vetëshkatërrimit. Në një tjetër e-mail të dërguar në 21 gusht, diplomati amerikan kritikonte miliarderin për promovimin e lëvizjes që vuri në pikëpyetje vendlindjen e Obamës.

Por në korrespondencat e tij elektronike zbulohet gjithashtu edhe frustrimi lidhur me kandidaten demokrate për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, dhe përdorimin e llogarisë private nga ana e saj për çështje pune.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA