Bisedime serioze për Brexit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian, zor se mund të fillojnë para fundit të vitit 2017. Kështu deklaroi ish-Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy, duke e cilësuar vendimin britanik për t’u larguar nga unioni si një gjymtim politik.
Sipas Rompuy, nuk pritet që negociatat për largimin britanik të nisin para formimit të qeverisë së re gjermane pas zgjedhjeve të shtatorit të ardhshëm. Rompuy gjithashtu tha se bisedimet do të jenë të vështira, por mund të sjellë përfitime reciproke dhe se i takom Londrës që të bëjë lëvizjen e parë.
Vetë Britania e Madhe, përmes kryeministres Theresa May ka bërë me dije se artikulli 50, i cili i hap rrugën negociatave të ndarjes, nuk do të përdoret para vitit 2017. Liderët e çdo vendi të Bashkimit Evropian, me përjashtim të Britanisë, do të mblidhen në Sllovaki të premten për të dikutuar të ardhmen e bllokut. Sipas një pjese të analistëve, mungesa britanike tregon se të paktën “de facto” ndarja ka nisur.
Ish-kreu i Këshillit të Evropës, Van Rompuy tha se bisedime teknike për largimin e Britanisë mund të nisin që nesër, por ato që vërtetë kanë rëndësi nuk do të nisin pa u formuar qeveria e re gjermane, pra në tetor apo nëntor të vitit të ardhshëm.
Ai gjithashtu hodhi poshtë zërat se në negociata, Evropa do të përpiqet të ndëshkojë Britaninë për braktisjen, por shtoi se Brukseli ka dëshirë të mos nxisë vendet e tjera që të largohen. Siaps tij, Evropa ka shumë punë për të bërë, pasi imazhi i saj që ishte shembull për shumë vende, është njollosur pas Brexit.
Top Channel