Importi i mbetjeve të riciklueshme, ministri i Mjedisit: Kemi mekanizma për t’i kontrolluar

15/09/2016 00:00

Kur në komisione po diskutohet rikthimi i importit të mbetjeve, ministri i Mjedisit, Lefter Koka mendon se tani shteti shqiptar e ka mekanizmin e duhur për ti kontrolluar.

“Kjo mazhorancë mendon se ky cikël prej tre vitesh ka bërë të mundur konsolidimin e kontrollit në pikat doganore dhe mendoj që edhe në ministrinë e mjedisit krijimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Shtetërorë mjedisit bën të mundur kontrollin e produkteve që futen në territorin shqiptar”, shprehet Lefter Koka, ministër i Mjedisit.

Pamundësia për të kontrolluar listën e mbetjeve ishte argumenti me të cilën qeveria Rama firmosi si vendimin e saj të parë pas ardhjes në pushtet, ndalimin kategorik të importit të mbetjeve.

Por tre vite më vonë, qeveria mendon se moratoriumi nuk është zgjidhje dhe se të gjitha palët duhet të ulen në një tryezë për të diskutuar çështjen pa paragjykime.

Ministri thotë se industria ricikluese e ka të pamundur të gjejë lëndën e parë brenda vendit pasi kjo do të kërkonte ndarjen e mbetjeve që në burim nga qytetarët. Kjo u ka shkaktuar vështirësi financiare sipërmarrësve që kanë investuar rreth 100 mln euro në këtë sektor.

Top Channel