Londër, Meta vijon takimet zyrtare; në fokus reforma në drejtësi

13/09/2016 00:00

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim me kreun e Dhomës së Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar, njëkohësisht ministër për Parlamentin, David Lidington.

Gjatë takimit Meta u shpreh se, Britania e Madhe është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, demokracisë, luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Në këtë drejtim, ai theksoi se, marrëdhëniet ndërparlamentare duhen thelluar edhe më tej, në shërbim të cilësisë së bashkëpunimit dypalësh.

Në të njëjtat linja, Lidington nënvizoi se, Mbretëria e Bashkuar dëshiron t’i thellojë marrëdhëniet me Shqipërinë, sidomos në fushat që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sigurinë.

Në këtë kuadër, Meta dhe Lidington diskutuan mbi reformën në drejtësi, me ministrin britanik që vlerësoi miratimin me konsensus të plotë të paketës kushtetuese, duke e cilësuar “një zhvillim pozitiv” për rritjen e investimeve të huaja dhe për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Duke marrë shkas nga kjo, Meta vuri në dukje se, rritja e investimeve britanike është e mirëpritur në Shqipëri, veçanërisht në fushat e turizmit, energjisë, etj.

Më pas Meta ka vijuar takimet me kryetarin e komisionit parlamentar të drejtësisë, Bob Neil, me të cilin ka biseduar pikërisht mbi reformën në drejtësi.

Zoti Neil ka përshëndetur miratimin e reformës nga Parlamenti shqiptar dhe e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë konsensusin.

Nga ana e tij, Meta ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë në këtë drejtim dhe ka nënvizuar se, Shqipëria do të bazohet në eksperiencën britanike në këtë drejtim.

Dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për nevojën e ndërtimit të një sistemi drejtësie me integritet dhe larg ndërhyrjeve politike. Në këtë vizitë, kryetari i Kuvendit shoqërohet nga deputetët Arta Dade dhe Gerti Bogdani.

Top Channel