Sikur debati për dronët dhe sfidat e sigurisë që ato paraqesin të mos ishte i nxehtë mjaftueshëm, kompania japoneze prodrone ka menduar që ta ndezë edhe më shumë.

Përmes një videoje promocionale, ajo publikoi produktin e saj më të ri PD6B, i cili është i pajisur me krahë robotikë për të kryer detyra të ndryshme. Aftësitë e dronit shfaqen mjaft qartë në video ku mjeti fluturues përmes ganxhave në krahët e tij ngre një karrige metalike, madje edhe shfaqet duke qëndruar në një parmak si një zog grabitqar.

Droni mban pesha deri në 10 kg me ganxhat e tij dhe deri ne 20 kg të varura në trup. Pavarësia e tij e fluturimit është 30 minuta me shpejtësi 60 km/h. Prodhuesi japonez i dronit pretendon se ai mund të kryejë një sërë shërbimesh, por si zakonisht në raste të tilla, nuk kanë munguar komentet negative.

Shumë njerëz komentuan në internet se një dron i tillë paraqet një vegël punë të mrekullueshme për hajdutët që tashmë nuk kanë nevojë as të hyjnë në vendet që duan të vjedhin.

Ndërsa të tjerë mendojnë se një mjet i tillë mund të përdoret edhe për të rrëmbyer fëmijët, megjithëse komente të tilla janë dënuar nga kompania japoneze që thotë se ka njerëz që përpiqen të shndërrojnë teknologjinë në frikë.

Top Channel