Veliaj përuron rikonstruksionin e konviktit të shkollës Hoteleri-Turizëm

11/09/2016 00:00

Konvikti i shkollës profesionale Hoteleri-Turizëm i është kthyer plotësisht nxënësve, pasi Bashkia e Tiranës ka zhvendosur banorët të cilët jetonin në dy katet e sipërme të këtij  konvikti prej 20 vitesh.

Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e godinës duke mundësuar kushte më të mira për 180 nxënësit që do të jetojnë aty gjatë vitit shkollor.

“Nuk kemi nevojë vetëm për kantiere infrastrukture, por edhe për kantiere sociale dhe ajo që po hapim sot është një kantier social. Ky është një konvikt i cili strehon 180 nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që kërkojnë një mundësi suksesi në Tiranë, pranë një shkolle shumë të kërkuar, të cilën ne po e promovojmë edhe me politika qeverisëse, si Hoteleri-Turizmi”, theksoi Veliaj.

Kryetari i bashkisë, i cili vizitoi ambientet e konviktit, tha se për familjarët e larguar bashkia ofron mundësi strehimi: “I kemi zgjidhur të dyja problemet. Për banorët që kanë qenë realisht nevojtarë ka një banesë sociale, ka bonus qiraje, ka një qendër të emergjencave të strehimit, kurse për nxënësit që vijnë nga komunitete me të ardhura modeste, nga familje në fshat, me një pagesë shumë minimale, 200 lekë në ditë, 6000 lekë në muaj, marrin këtu tre vakte dhe strehimin e garantuar”.

Bashkia e Tiranës ka liruar të gjitha hapësirat në konviktet e Tiranës, përfshirë atë të Shkollës Elektrike, konvikti i Liceut, konvikti i Gjuhëve të Huaja, konvikti i Ekonomikut dhe konvikti i Hoteleri-Turizmit së fundmi.

Top Channel