Në orën 19:00 qendrat e votimit në Dibër janë mbyllur dhe nga të dhënat paraprake të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në zgjedhje kanë marrë pjesë 60 përqind e votuesve. Ndërkohë që rreth orës 23:45 ka nisur edhe numërimi i votave.
Sipas KQZ, kanë votuar 60 përqind e personave me të drejtë vote, nga të cilët pak më shumë se 30 përqind kanë qenë gra. Pjesëmarrja e të cilave në total ka qenë 58 % e femrave me të drejtë vote.
“KQZ informon se ka filluar procesi i mbylljes së qendrave të votimit dhe ka filluar edhe dorëzimi i bazës materiale. Në momentet në vijim do të japim një informacion më të saktë për këtë proces, Nuk kanë munguar baza materiale, siç është pretenduar”, bëri me dije zëdhënësja e KQZ-së.
Ndërkohë, ambienti ku do të numërohen votat është gati dhe në pritje të mbërritjes së kutive të para për të numëruar. Por procesi i numërimit nuk mund të nisë pa mbërritur në KZAZ të gjitha kutitë, proces ky që pritet të fillojë rreth mesnatës dhe nëse zhvillohet pa shkëputje, zgjat rreth 4 orë.
Rreth orës 22:35 ka përfundur pa asnjë problem shoqërimi dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të 118 qendrave të votimit në KZAZ. Të gjithë punonjësit e policisë kanë marrë proceverbalet e dorëzimit nga KZAZ.
Gjatë shoqërimit dhe dorëzimit nuk është konstatuar asnjë problem. Policia tashmë vijon shërbimin në ruajtien fizike të KZAZ si dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.
Njëkohësisht janë marrë të gjitha masat nga ana e Policisë për të garantuar rendin e sigurinë në gjithë territorin e qarkut Dibër.
Top Channel