I quajti mbështetësit e Trumpit “tufë të mjerueshmish”, Clinton kërkon falje

11/09/2016 00:00

Kandidatja presidenciale e demokratëve, Hillary Clinton ka kërkuar falje për deklaratën e pamenduar mirë të së premtes, kur i quajti gjysmën e mbështetësve të rivalit të saj, Donald Trump, si njerëz “të mjerueshëm”.

Megjithatë, ish-Sekretarja e Shtetit ka nisur një sulm të ashpër ndaj kundërshtarit republikan, si dhe premtoi se do të vijojë betejën kundër “fanatizmit dhe retorikës së tij raciste”.

Trump iu kundërpërgjigj të shtunën ish-Zonjës së Parë, duke thënë se komentet e saj ishin “ofenduese” për “miliona njerëz mahnitës dhe punëtorë të zellshëm”.

Tensionet e fundit duket se vijnë edhe për shkak të sondazheve të fundit, të cilat tregojnë se Trump po fiton terren ndaj Clintonit. Rivalët e zgjedhjeve të 8 nëntorit për Shtëpinë e Bardhë janë “kokë më kokë” edhe në fushëbetejat më të rëndësishme, siç janë shtetet e Ohios dhe Floridës.

Por çfarë tha Clintoni të premten? Duke folur në një takim për mbledhjen e fondeve në Nju Jork, Hillary Clinton u shpreh se “për të qenë tej mase e saktë, gjysmën e mbështetësve të Trumpit mund t’i vendosni në atë që unë do ta quaja kosh për të mjerueshmit. Për fat të keq, të tillë janë ata njerëz, ndërsa ai (Trump) po i bën krenarë”.

“Mes tyre ka racistë, seksistë, ksenofobë, islamofobë, quajini si të doni”, shtoi ajo. Pjesa tjetër e mbështetësve të kandidatit republikan, Clinton tha se ishin “thjesht të dëshpëruarit për ndryshim”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Trumpit, i cili përmes “Twitter”-it u shpreh se “kjo do t’i kushtojë asaj shumë nëpër sondazhe”. Bashkëgaruesi i tij, kandidati për zv.president, Mike Pence shtoi më tej se “ata nuk janë kosh i asgjëse, por thjesht amerikanë dhe meritojnë respektin e saj”.

Kreu i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus tha se Clintoni tregoi “përbuzjen për njerëzit e zakonshëm”. “Miliona amerikanët që mbështesin kandidatin republikan, janë ata që “janë lodhur nga politikanë karrieristë e të korruptuar si Hillary Clinton”.

Ndërkohë, duke kërkuar falje, Clinton shprehet tashmë se “mbrëmjen e kaluar isha më realiste se ç’duhej. Të qenit e tillë nuk është asnjëherë ide e mirë. Më vjen keq për atë çfarë thashë, ishte e gabuar”.

“Doja të thoja se shumica e mbështetësve të Trumpit janë amerikanë që punojnë shumë, por që nuk e ndiejnë se ekonomia apo sistemi ynë politik po punojnë në favorin e tyre”. Megjithatë, shumicën e fjalimit të ri, ajo e shfrytëzoi sërish për të sulmuar rivalin e saj, të cilin e akuzon se “po e ndërton fushatën kryesisht mbi paragjykimet dhe paranojën”, si dhe po i ofron një platformë kombëtare “pikëpamjeve dhe zërave të urrejtjes”.

Duket se tensionet do të jenë të larta, pikërisht kur kanë mbetur edhe dy javë nga debati i parë zgjedhor mes Clintonit dhe Trumpit, që do të zhvillohet më 26 shtator. Ndërsa më 8 nëntor, amerikanët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur pasuesin e Presidentit Barack Obama, i cili ka dy mandate në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta