PD mbyll fushatën në Peshkopi, Basha: Nga Dibra, Shqipërinë

09/09/2016 00:00

Demokratët mbyllën në Dibër një fushatë elektorale, e cila prej të paktën dy javësh ka zhvendosur atje pjesën më të madhe të deputetëve, lidershipit demokrat dhe aleatëve të tyre, të vjetër e të rinj, me synim rikthimin e bashkisë tek Partia Demokratike.

“Për të gjithë ne Dibra është e para dhe neve na bashkon këtu të gjithëve ndryshimi që kërkon Dibra”, deklaroi Shehu.

Për Lulzim Bashën, të dielën dibranët kanë përpara dy alternativa të kundërta qeverisjeje. “Pra, vëllezër e motra, dibrane e dibranë, zgjedhja juaj është e thjeshtë: mes së mirës e së keqes. Një zgjedhje midis integritetit dhe krimit. Një zgjedhje mes njeriut të lirë dhe njeriut të kapur. Një zgjedhje mes atij që do t’i shërbejë Dibrës dhe shërbëtorit të mafias. Një zgjedhje mes atij që do të punojë për Dibrën dhe atij që do ta shfrytëzojë atë. Dhe jam i bindur se zgjedhja juaj quhet Sherefedin Shehu”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin se me përfaqësues të krimit dhe trafikantë të drogës po e shndërron Dibrën në skenën e provës gjenerale të manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme.

“Kam një mesazh për çakejtë dhe orlat e Edi Ramës që sillen vërdallë. Mos guxoni të prekni një votë të vetme. Mos fusni duart në vullnetin e sovranit se do të jetë një përgjegjësi që nuk do t’ua mbajnë dot gjunjët. Ne, opozita, Partia Demokratike, vëzhguesit, njerëzit tanë, jemi të pranishëm kudo. Ne jemi garancia se vota nuk do të preket, se Dibra do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se Dibra është dhe do të jetë e dibranëve dhe jo e trafikantëve, e punës dhe jo e drogës, e dinjitetit dhe jo e mëpërkëmbjes”, tha Basha.

Opozita i ka trajtuar zgjedhjet në Dibër si një hap drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, prej nga do të nisë ndryshimi për qeverisjen e vendit.

Top Channel