Veliaj inspekton punimet tek sheshi Skëndërbej

07/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi pasditen e sotme punimet për zbatimin e fazës së parë të ristrukturimit të sheshit Skëndërbej, të cilat nisën mëngjesin e sotëm.

Punimet filluan me pjesën qendrore të sheshit dhe rreth Muzeut Historik Kombëtar, ku pas rrethimit të zonës u vijua me heqjen e shtresës së asfaltit dhe zhvendosjen e pllakave.

Veliaj tha se ky projekt synon ta shndërrojë sheshin Skëndërbej në një hapësirë pedonale, e cila do të shërbejë edhe si një mushkëri për qytetin.

Duke folur për detajet e projektit, ai theksoi se sheshi do të përfaqësojë të gjitha trevat shqiptare, qoftë me pemët që do të mbillen, qoftë me gurët me të cilët do të shtrohet.

“Sot po fillojmë me pjesën qendrore, e cila kryesisht është e shtruar me pllakë dhe gurë dekorativë nga të gjitha trevat shqiptare. Në vjeshtë do të nisim parkimin nëntokësor, me kapacitet për 300 makina”, tha Veliaj.

Ai vuri në dukje se zbatimi i këtij projekti mbron çdo pemë ekzistuese në shesh, e cila do të zhvendoset në sheshin e ri. “Dua të garantoj qytetarët që këtu nuk do të preket asnjë pemë, përkundrazi do të shtojmë edhe 5 mijë pemë të tjera”, tha Veliaj.

Top Channel