Nis viti i ri shkollor, presidenti Thaçi: Të rrisim gjenerata, që do të ndërtojnë shtetin

05/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka uruar të gjithë nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me plot sakrifica, por shumë krenare.

“Sot filloi viti i ri shkollor dhe bashkë me të, edhe angazhimi ynë për të përgatitur gjeneratat e reja për jetën dhe botën e re. Jemi të lumtur që fëmijët tanë tashmë mund t’i gëzohen të ardhmes, ta presin pa frikë dhe të bindur se, ajo do të jetë më e mirë për të gjithë. Ata do të mësojnë edhe për të kaluarën tonë të dhimbshme, me plot sakrifica, por shumë krenare. Dhe mbi të gjitha do të marrin dituri dhe urtësi, që të mos lejojnë të përsëritet ajo”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, sot ora e parë e mësimit iu kushtua shenjtërimit të Nënë Terezës, por në të ardhmen në kurrikulat tona duhet të përfshihet edhe mësimi për mirësinë dhe dashurinë, që Shën Tereza ka përcjellë në mbarë botën.

Mbi këto themele, të krenarisë për të kaluarën dhe urtësisë për të ardhmen, sipas presidentit “duhet t’i rrisim gjeneratat, që do të ndërtojnë shtetin, proces që e nisëm ne”.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka uruar të gjithë nxënësit.

“Sot është dita më e lumtur për mijëra nxënës, që për herë të parë do të shkojnë në shkollë. Uroj të gjithë fatosët, nxënësit dhe prindërit në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Kosovë. Paçi shëndet dhe shumë suksese! Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës!”, ka shkruar Veseli në “Facebook”.

Urime për këtë fillimviti shkollor ka bërë edhe kreu i Komunës së Prishtinës, si dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës.

Top Channel