Turisti francez humb kontrollin e makinës dhe përplaset me barrierën mbrojtëse në Sarandë, raportohet vetëm për dëme materiale Në gusht të vitit 1989 Nënë Tereza pas shumë refuzimesh arriti të rikthehej në Shqipëri. Komunizmi ishte në ditët e fundit të tij dhe pranimi i vizitës ishte një hapje e ndrojtur dhe vizita ishte parë edhe si një shenjë e ndryshimit që po vinte, veçanërisht për lirinë fetare.
Misionarja katolike ishte shumë pak e njohur në Shqipërinë komuniste ku informacioni ishte i kontrolluar me detaje. Mbërritja e Nënë Terezës në Tiranë u konsiderua “vizitë private”, apo “vizitë jozyrtare” pavarësisht nga motivimi burokratik, ardhja ishte rikthimi në vendin e vet, ardhje në “gjini” dhe pse për shumë vite kjo e drejtë i ishte mohuar me justifikime absurde politike dhe pa asnjë bazë morale e njerëzore.
Dëshmitarët e vizitës kujtojnë se i gjithë qëndrimi në Tiranë u prezantua me lajme të kontrolluara, duke ofruar vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, apo vizitën në Varrezat e Dëshmorëve. U njoftua edhe vizita e saj në varret e Nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës dhe vizitën ne spitalin onkologjik, e shoqëruar nga Dr.Adelina Mazreku.
Gjithçka ishte brenda kornizave të burokracisë komuniste, një vizitë protokollare, me pak publik të zgjedhur, megjithatë në takimin që Nënë Tereza bëri me ish-Presidentin Ramiz Alia, dukej qartazi sjellja që rrëzonte gjithë kornizën e burokracisë së komunizmit.
Zyrtarisht Nënë Tereza kërkoi hapjen në Shqipëri të misionit bamirës që drejtonte. U largua më 8 gusht për t’u rikthyer një vit më pas për të hapur misionin bamirës. Në këtë udhëtim të dytë shoqërohej edhe nga disa motra të misionit.
Misioni i parë ishte në Tiranë në rrugën Siri Kodra e më pas u përhap në gjithë Shqipërinë. Vizita e tretë ishte në mars të vitit 1991, kur Nënë Tereza vizitoi dhe qytetet e Shkodrës Durrësin, Elbasanin e Korçën.
Udhëtonte bashkë me motrat e misionit me synimin e hapjes se qendrave të reja. Pas një pune të gjatë trevjeçare në Shqipëri të misionit të Nënë Terezës në fund mori edhe letërnjoftimin shqiptar.
Në tre vitet e vizitave të Nënë Terezës në Shqipëri ishte e para që priti Papa Gjon Palin në vizitën e tij në Shqipëri në fillim të viteve ‘90.
Ardhja e saj në Shqipërinë komuniste më shumë se një rikthim në vendin e të parëve, ishte një nxitje e madhe për ndryshimin që sapo kishte nisur në Shqipëri. Pranimi i shqiptares së madhe, misionares katolike përkon me kohën kur u rikthye liria e besimit në Shqipëri. Disa muaj më pas regjimi komunist shikonte në heshtje sesi shqiptarët masivisht nisën të hapin kishat e xhamiat në gjithë vendin.
Top Channel