Një raketë e operuar nga kompania hapësinore “SpaceX” ka shpërthyer gjatë testimeve përgatitore, ende pa nisur lëshimin nga baza e Cape Canaveral. Forca e shpërthimit tronditi ndërtesat disa mijëra kilometra larg vendit të ngjarjes.

“SpaceX” njoftoi se “një anomali” kishte ndodhur në momentin kur raketa po furnizohej me karburant. Megjithatë, asnjë person nuk është plagosur. Edhe ngarkesa e raketës, një satelit komunikimi i ndërtuar nga izraelitët për kompaninë Facebook, që pritej të lëshohej të shtunën, u shkatërrua bashkë me të.

“Facebook”, në partneritet me “Eutelsat Communications”, kishte planifikuar të përdorte satelitin “Amos-6” në mënyrë që të ofronte mbulim interneti “broadband” (kabllor) në pjesë të konsiderueshme të Afrikës nënsahariane, si pjesë e nismës “internet.org”.

Themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, i cili po viziton aktualisht Afrikës, tha se ishte “thellësisht i zhgënjyer” teksa dëgjoi lajmin e shkatërrimit të satelitit.

“Ne mbetemi ende të angazhuar ndaj misionit tonë për të lidhur cilindo në botë, e do të vazhdojmë të punojmë derisa kushdo të ketë mundësinë për t’u lidhur në internet, gjë që do ta ofronte edhe ky satelit”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social.

Një zyrtar i lartë izraelit i hapësirës tha se humbja e satelitit “Amos-6”, e vlerësuar në më shumë se 200 milionë dollarë dhe që zotërohej nga “Spacecom”, përbënte një goditje të rëndë për industrinë.

“Për sa kohë që industria e komunikimeve satelitore izraelite është e shqetësuar, kjo do të thotë se përbën një goditje tepër të madhe, saqë mund të vendosë në pikëpyetje të ardhmen e kësaj industrie, nëse nuk del nga kjo baltë”, tha kreu i Agjencisë Hapësinore Izraelite, Isaac Ben-Israel.

Stacioni i Forcave Ajrore “Cape Canaveral” tha se një shpërthim i fuqishëm kishte ndodhur rreth orës 16:00 në kompleksin 40 të lëshimit të raketave, i cili i ishte dhënë me qira “SpaceX”. Kjo e fundit, përmes një deklarate tha se “anomalia e kishte origjinën në pjesën e sipërme të tankeve me oksigjen, dhe se ndodhi gjatë mbushjes së pajisjes me karburant”.

Sa i përket mospasjes së viktimave, më tej thuhet se “i gjithë personeli ishte larguar nga vendi i lëshimit si shkak i procedurave standarde të operimit në të tilla raste”.

“SpaceX” synon të krijojë një epokë të re të raketave të riciklueshme dhe të përshtatshme për udhëtime hapësinore private, ndërsa e ka përdorur edhe më herët raketën “Falcon-9” për të dërguar ngarkesa në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS). “SpaceX” drejtohet nga Elon Musk dhe selinë e ka në Hawthorne pranë Los Angelesit, një shef ekzekutiv i cili drejton edhe kompaninë e makinave elektrike “Tesla” dhe që e ka krijuar pasurinë e tij përmes kompanive të internetit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel